AKTUALITET /

Pas 11 vitesh në kërkim, arrestohet në Britani shqiptari i dënuar për trafik droge

37-vjeçari Gëzim Çela pritet të dalë para Gjykatës së Westminsterit, ndërsa Shqipëria ka 40 ditë kohë për të dorëzuar dokumentacionin e ekstradimit

Shkruar nga Versus

Pas 11 vitesh në kërkim, arrestohet në Britani shqiptari i

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 11 vitesh është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar, falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve britanike.

Sipas dokumenteve të Gjykatës së Ekstradimeve në Westminster, bëhet fjalë për 37-vjeçarin Gëzim Çela, ndaj të cilit autoritetet shqiptare kanë lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për përfshirje të dyshuar në trafik narkotikësh.

Sipas dosjes hetimore, Çela akuzohet se në tetor të vitit 2015 ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikoi rreth 49 kilogramë kanabis nga Shqipëria drejt Kosovës. Për këtë çështje, ai është dënuar në mungesë nga drejtësia shqiptare.

37-vjeçari do të paraqitet më 4 qershor para Gjykatës së Westminsterit, ku do të nisë shqyrtimi i kërkesës për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë ka afat 40 ditë për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe garancitë përkatëse lidhur me të drejtën e rigjykimit, duke qenë se dënimi është dhënë në mungesë të të akuzuarit.

Gjykata britanike ka vendosur që Gëzim Çela të qëndrojë në paraburgim deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit, duke vlerësuar se akuzat ndaj tij lidhen me një vepër penale të rëndë.




Poll