Sot pritet të hapet për qarkullim, Tuneli i Murrizit, segmenti i papërfunduar i Rrugës së Abrit, punimet për të cilën kanë nisur në qershor të 2018-ës. Pas 7 vitesh tashmë e gjithë rruga do të mund të përshkrohet me makinë dhe do të shkurtojë dukshëm distancën mes kryeqytetit dhe Dibrës.
Lajmin për hapjen e tunelit ditën e sotme, e dha kryeministri Edi Rama në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale ku theksoi se nuk do të ketë tarifë për këtë rrugë.
“Tuneli sa të jem unë këtu, nuk do të ketë taksë, nuk do kenë tarifë të rrugës. Sa të jem unë, më mbrapa shihni e bëni, por sa të jem unë jo njëherë, që të jemi shumë të qartë”, tha Rama.
Rruga e Arbrit dhe tuneli janë ndërtuar me PPP, Partneritet Publik Privat. Kostoja e ndërtimit të rrugës, ende nuk është zyrtarisht e ditur, por përllogaritet t’i ketë kaluar 220 milionë euro.
Tuneli është i gjatë 3.7 kilometra dhe do të shkurtojë distancën mes Dibrës dhe Tiranës në vetëm 2 orë. Ai ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km. Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga.
Ndërsa brenda pak javësh pritet të mbyllen edhe punimet për aksin Maqellarë Peshkopi për të finalizuar Rrugën e Arbrit. Versus.al








