
Bllokimi i aksit Librazhd–Përrenjas ka pasur ndikime të drejtpërdrejta në transportin ndërqytetas, ku qytetarët po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave.
Nëse më parë një biletë për Tiranë kushtonte rreth 700 lekë të reja, tani çmimi ka shkuar në 1000 lekë të reja.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë rritje, duke theksuar se për shumë familje është e papërballueshme, dhe kërkojnë që ky çmim të mos mbetet i përhershëm pas normalizimit të situatës.
Shoferët shpjegojnë se rritja e çmimit lidhet me zgjatjen e kohës së udhëtimit, konsum më të lartë të karburantit dhe amortizim të mjeteve.
Furgonat që lidhin Juglindjen me kryeqytetin janë detyruar të ndryshojnë itinerarin, duke kaluar nga aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, një rrugë më e ngushtë, me kthesa dhe e dëmtuar, që ka rritur ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe kostot operative.


