AKTUALITET /

Për të tretën herë! Agjentët e BKH “zbarkojnë” tek Kodra e Diellit, kontroll pranë banesës së Veliajt

Lëvizja e tyre ka ndodhur pasditen e 14 prillit, rreth orës 18:00, pranë vilës së çiftit Veliaj-Xoxa, ku qëndrimi i tyre zgjati për rreth dy orë.

Shkruar nga Versus

Për të tretën herë! Agjentët e BKH

Për të tretën herë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë parë pranë banesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Lëvizja e tyre ka ndodhur pasditen e 14 prillit, rreth orës 18:00, pranë vilës së çiftit Veliaj-Xoxa, ku qëndrimi i tyre zgjati për rreth dy orë.

Edhe pse SPAK nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar mbi natyrën e ndërhyrjes apo nëse është ushtruar kontroll në banesë, mësohet se kjo lëvizje lidhet me një tjetër vepër penale që i është shtuar dosjes së Veliajt. Përveç akuzave për korrupsion pasiv në nëntë episode dhe pastrim parash, ish-kryebashkiaku tashmë po hetohet edhe për futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Sipas burimeve, kjo akuzë e re është formalizuar pas një dosjeje të dorëzuar nga SPAK, e cila përmban komunikime që Veliaj ka kryer me familjarët e tij përmes telefonit gjatë kohës në paraburgim. Në këto biseda, ai dyshohet se ka udhëzuar për ndikim ndaj mediave dhe gazetarëve të caktuar, si dhe për ushtrim presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të çështjes.

Lëvizja e fundit e BKH-së pranë banesës së bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa – e cila ndodhet nën masën “detyrim paraqitje” – vjen në kuadër të hetimeve të zgjeruara. Çdo veprim i tillë ligjërisht kërkon miratimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. /Versus.al/

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: