
Nga kullat e larta të kompleksit Gascoigne në Barking, banda famëkeqe shqiptare “Hellbanianz” u bë e njohur si një nga grupet më të frikshme në kryeqytetin britanik. Me një imazh të ndërtuar përmes videoklipeve muzikore plot makina luksoze, orë Rolex me diamante dhe skena provokuese, ata nuk u munduan kurrë të fshiheshin nga sytë e publikut. Përkundrazi, shpërndanin hapur në rrjetet sociale foto me armë dhe para të gatshme, duke u bërë një simbol i një stili jete të lidhur ngushtë me botën e krimit.
Banda, e cila nisi si grup repi në fillim të viteve 2000, u kthye shpejt në një organizatë të strukturuar kriminale, duke shpërndarë kokainë në të gjithë Londrën dhe duke rekrutuar të rinj shqiptarë për të zgjeruar rrjetin. Në kulmin e guximit të tyre, ata madje përdorën automjete ushtarake të pajisura me mitralozë të rëndë për të xhiruar një videoklip në zemër të Barking.
Megjithatë, prishja e pallateve në Gascoigne nga bashkia Barking dhe Dagenham, të cilat sipas autoriteteve ishin nën kontrollin e tyre, shënoi fundin e bazës kryesore të operacioneve në Londër. Tani, drejtuesit e “Hellbanianz”, përfshirë liderin Ervin Selita i njohur si “Vinz”, janë zhvendosur në Dubai, ku shijojnë luksin e fituar nga trafiku i drogës, duke postuar imazhe me makina Rolls-Royce dhe pamje nga Burj Khalifa.

Selita, me origjinë nga Burreli dhe ish-azilkërkues në Mbretërinë e Bashkuar, ishte arrestuar në vitin 2022 në Tiranë për tentativë vrasjeje, por u lirua në korrik 2023 pas vendimit të Apelit. Menjëherë pas kësaj, pas një vizite të shkurtër në Londër, ai u vendos në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, disa prej anëtarëve të tjerë të njohur të bandës ndodhen ende pas hekurave në Britani për vepra të rënda si vrasje, grabitje dhe trafik droge.
Me moton “Ne jemi Zotat e rrugëve”, “Hellbanianz” kanë shfrytëzuar rrjetet sociale dhe muzikën për të ndërtuar një imazh tërheqës për të rinjtë shqiptarë, veçanërisht ata në veriun e vendit, duke glorifikuar një jetë të mbushur me para, armë dhe fuqi.
Bosët e bandave shqiptare po zhvendosen në Dubai për të shmangur hetimet dhe për të zgjeruar bizneset kriminale

Burime nga hetuesit britanikë kanë zbuluar se një numër në rritje i grupeve kriminale shqiptare po zgjedhin Dubain si strehë të sigurt për t’u larguar nga presioni i policisë dhe i bandave rivale në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa vazhdojnë aktivitetet e tyre të paligjshme nga distanca.
Zhvendosja bëhet më e lehtë falë mundësisë për të siguruar një vizë pesëvjeçare nëse blen një pronë mbi 400 ose 500 mijë paund ose euro. “Sapo vendosen atje, problemet me policinë lokale dhe rivalët zhduken. Nëse janë nën hetim nga policia, HMRC apo institucionet britanike, Dubai është vendi ideal për t’u zhdukur nga radari,” – tha një burim.
Ndërkohë që bosët shpërngulen, drejtimin e operacioneve e marrin “menaxherët e mesëm” brenda bandës, të cilët fitojnë më shumë pushtet e para, por mbajnë edhe përgjegjësinë ligjore. “Është një progres natyral që shumë grupe ndjekin. Britanikët e nisën para 12 vitesh, më pas irlandezët e rusët, dhe tani shqiptarët po ndjekin të njëjtën rrugë,” – shtoi burimi, duke theksuar se Dubait i mungon lehtësia e ekstradimit.
Dubai ofron një tjetër avantazh strategjik: qasje në rrethe të larta të tregtisë ndërkombëtare të drogës. “Nga Britania mund të veprosh në një nivel gjashtë nga dhjetë, por në Dubai ngjitesh në një shkallë më lart. Mund të ftohesh në darka me trafikantë të nivelit të lartë, ku ndahen informacione për portet dhe linjat e transportit që përdorin,” – shpjegoi burimi.
Por joshja e Dubait nuk lidhet vetëm me tregtinë e drogës. Sipas hetuesve, qyteti njihet prej kohësh si “skena e parave të pista”, ku kriminelët mbërrijnë me sasi të mëdha parash për të blerë ar. Po ashtu, ata përdorin disa biznese legale për të kamufluar aktivitetin e tyre, si sallone bukurie dhe trajtime estetike, ku shpesh rekrutohen të reja nga Britania për punë ditore, ndërsa natën dërgohen në festa si “zbukurim” për eventet, gjë që mund të degjenerojë në prostitucion.
Një tjetër sektor i preferuar është ai i makinave luksoze, ku hapen biznese për pastrimin, lustrimin apo ndërrimin e pjesëve të veturave si Ferrari e Lamborghini, sektor që, sipas burimeve, lidhet ngushtë me të ardhurat nga trafiku i drogës.
Emra të njohur të botës së krimit shqiptar si anëtarë të grupit “Hellbanianz” vazhdojnë të mbajnë lidhje me rrënjët e tyre në Londër. Vëllai i reperit të vrarë Skilla, Emirlion Shuti i njohur si “OneMili”, mori një dënim me 20 muaj burg, i pezulluar për dy vjet, për rolin e tij në ngjarjen e vrasjes. Ai dhe pjesëtarë të tjerë të nivelit të ulët janë parë ende në Barking, duke u shfaqur në TikTok me varëse ari të formës së kompleksit Gascoigne dhe mbishkrimin “Go Get Skrilla”.
Në prill të këtij viti, “OneMili” dhe anëtarë të tjerë të Hellbanianz pozonin në një stacion karburanti Shell në Barking, përpara një Mercedes Benz me targë “3 SKILLA”, ndërsa ndjekësit në rrjete sociale komentonin “Free Skilla”./ Versus.al







