Prokuroria e Beratit ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e një prej ngjarjeve që kanë shokuar opinionin publik, ku babai dhe gjyshja përdornin 10 vjeçarin për të marrë klikime dhe “dhurata” në rrjetin social tik-tok.
I vogli shfaqej në video duke përdorur fjalor banal, i detyruar nga babai dhe gjyshja e tij të cilët mësohet se e kanë keqtrajtuar dhe kërcënuar për të arritur qëllimet e tyre në rrjetet sociale. Natasha R. dhe Armando K. e detyronin të miturin të thoshte fjalë të këqija të cilave ai vetë nuk ua dinte kuptimin.
10 vjeçari ka treguar se shpesh herë, babai i tij e kërcënonte me thikë që të dilte live në tik-tok dhe të thoshte fjalë banale. Prokuroria ka dalë në përfundimin se babai dhe gjyshja e kanë rënduar emocionalisht dhe psikologjikisht të miturin duke mos e lënë të ketë një qetësi shpirtërore. Keqtrajtimi i tij shkon më tej ku mësohet se i jepnin puro dhe pije alkoolike për të konsumuar duke i dëmtuar zhvillimin mendor dhe fizik.
Ngjarjen e rëndë e denoncoi e ëma e të miturit e cila ishte ndarë nga bashkëshorti. Gjyshja dhe babai i të miturit të gjithë këtë shfrytëzim të tij e bënin vetëm për të fituar disa vlera monetare që arrinin t’i merrnin nga shikimet në tik-tok. Versus.al







