AKTUALITET /

Përgjimet e Veliajt, reagojnë avokatët: Po shkelet sekreti hetimor!

Ata e cilësojnë këtë një shkelje të hapur të sekretit hetimor dhe kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të rrjedhjes së informacionit, si dhe nisjen e një hetimi mbi rastin.  

Shkruar nga Versus

Përgjimet e Veliajt, reagojnë avokatët: Po shkelet sekreti

Katër avokatët e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kanë reaguar pas publikimit të bisedave private familjare nga dosja hetimore në të njëjtin portal mediatik. 

Ata e cilësojnë këtë një shkelje të hapur të sekretit hetimor dhe kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të rrjedhjes së informacionit, si dhe nisjen e një hetimi mbi rastin.  

“Me keqardhje vërejmë se sot, në të njëjtat media ku janë publikuar edhe më parë pjesë nga dosja hetimore e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, janë hedhur sërish copëza nga të ashtuquajturat përgjime nga kabina e telefonit të burgut. Ato janë biseda private të zhvilluara mes z. Veliaj dhe familjarëve te tij, dhe privatësia është e garantuar me ligj. Rrjedhja e copëzave të informacionit, që duket se përzgjidhen qëllimisht, të ndalohen menjëherë dhe të nisë një hetim mbi rastin në fjalë”, thuhet në reagimin e avokatëve.  

Ata theksojnë se rrjedhja e informacioneve është e qëllimshme dhe e përsëritur, për të dëmtuar jo vetëm çështjen në hetim, por edhe për të mbajtur nën sulm familjarët e kryebashkiakut.  

“Kjo që po ndodh me dosjen e z. Veliaj, e cila për arsye të panjohura rrjedh gjithmonë në të njëjtin portal mediatik, nuk është normale dhe duket e orkestruar. Nuk e kuptojmë se si mund të ndodhë kjo, aq më tepër kur çështja ende nuk është mbyllur dhe sekreti hetimor po shkelet hapur”, theksojnë avokatët.  
Ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për të ndaluar këtë praktikë dhe për të garantuar një proces të drejtë dhe konform ligjit.

“Nuk e kuptojmë se si është e mundur që të ndodhë kjo, aq më tepër kur çështja ende nuk është mbyllur dhe po shkelet hapur sekreti hetimor”, thuhet në reagimin e avokatëve të kryebashkiakut Veliaj.

Poll