Një 35-vjeçar u arrestua në Kurbin pasi më 29 maj aksidentoi për vdekje një 59-vjeçar në aksin rrugor “Mbikalimi i Patokut–Laç” dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Forcat e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale vunë në pranga autorin, ndaj të cilit gjykata e Lezhës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Në kuadër të hetimeve të mëtejshme, u arrestua edhe një 23-vjeçar, i cili dha deklaratë të rreme para policisë, duke pretenduar se ishte drejtuesi i automjetit përgjegjës për aksidentin. Sipas policisë, nga provat rezultoi se drejtues i mjetit ishte 35-vjeçari i arrestuar.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe në koordinim me Prokurorinë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.B., 23 vjeç, për veprat penale ‘Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’,” njofton Policia.
Materialet e dyshuarve i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme ligjore. Versus.al







