Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Durrësit paraditen e së hënës, ku 56-vjeçari, Mikel Ndoj, plagosi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare Xhesika Ndoj dhe një kalimtar të rastit.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr.12, dhe shkak u bë refuzimi i vajzës për t’u ribashkuar me të atin pas 6 vitesh ndarje.
Në dëshminë e tij për autoritetet, Ndoj shprehet i penduar, duke theksuar se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit gjatë ngjarjes.
Ai tregoi se kishte shkuar në vendin e punës së vajzës për të biseduar, por situata u përshkallëzua pasi Xhesika Ndoj e refuzoi dhe nuk pranoi të kishte më lidhje me të.
"Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment m’u errësuan sytë, i thashë hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Më pas ika dhe u fsheva diku afër repartit të zjarrfikëses. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shumë keq", ka dëshmuar 56-vjeçari./Versus.al


