AKTUALITET /

Plazhet publike bëhen me pagesë në Vlorë, projektligji miratohet nga Këshilli Bashkiak

Shkruar nga Versus

Plazhet publike bëhen me pagesë në Vlorë, projektligji

Këshilli Bashkiak i Vlora ka miratuar vendosjen e një tarife prej 700 lekësh për përdorimin e plazheve publike, një vendim që ka shkaktuar debat të fortë mes këshilltarëve.

Projektvendimi u votua nga shumica e majtë, ndërsa opozita votoi kundër.

Në procesin e votimit u shënua edhe një çarje brenda mazhorancës, pasi një këshilltare socialiste nuk mbështeti vendimin, duke dalë kundër linjës së grupit.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Vlorë, Atird Hoxha, e kritikoi ashpër këtë vendim, duke e cilësuar të paqartë dhe jo transparent për qytetarët.

“Vendimet merren, por mungon transparenca për projekte të tilla. Sa herë ndërhyhet, qytetarët nuk shohin përfitim konkret”, u shpreh ai, duke shtuar se tarifa përbën një barrë shtesë për pushuesit.

Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës argumentuan se tarifa lidhet me nevojën për menaxhim dhe mirëmbajtje më të mirë të hapësirave publike bregdetare, edhe pse detaje konkrete mbi mënyrën e zbatimit nuk u prezantuan gjatë mbledhjes./Versus.al

 

Poll