
Tiranë- Është përfshirë sërish nga debate dhe tensione seanca e radhës në GJKKO e mbajtur sot për të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” ku personi kyç për zbardhjen e krimeve u bë vrasësi me pagesë Nuredin Dumani, i cili tashmë ka statusin e të penduarit të drejtësisë.
Shkak për tensionet këtë herë, është bërë kërkesa e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu për të bërë të mundur që dëshmia e Nuredin Dumanit të bëhet pa praninë e mediave. Sipas prokurores së posaçme, prania e mediave dëmton procesin pasi ka dëshmi konfidenciale.
Kjo kërkesë ka ngjallur reagim të ashpër nga ana e të pandehurve të tjerë të cilët kanë kërkuar që mediat të jenë të pranishme në sallë pasi një kërkesë e tillë nuk u bë në seancën e parë. Avokatët e të pandehurve kanë argumentuar se kur dosja kalon për gjykim, nuk ka më sekret hetimor përveç rasteve specifike.
I pandehuri Petrit Qoli u shpreh se “kam një vit e gjysëm në burg dua që fjala ime të jetë trasparente”.
Të njëjtën kërkesë e pati edhe i akuzuari tjetër, Adrian Uzuni: Jam baba i tre kalajmajve unë dua të vërtetën patjetër i dua mediat, mos besoni një mashtrues, dua vetëm drejtësi
Trupa gjykuese u tërhoq për gjykim, ndërsa të pandehurit dhe avokatët në shenjë revolte kanë braktisur sallën e gjyqit.
Edhe në seancën e kaluar ka pasur tensione në sallë mes të pandehurve dhe Nuredin Dumanit teksa ky i fundit rrëfente për krimet e kryera dhe përfshirjen e të pranishmëve. Ata i janë drejtuar Dumanit me fjalë ofenduese duke e konsideruar si personin më të "ndyrë" që kanë njohur.
Hetimet për dosjen ‘Plumbi i Artë’ u mbyllën në gusht të 2023-it në ngarkim të 20 të pandehurve, disa prej tyre ende në arrati. Ndaj personave të përfshirë në këtë dosje rëndojnë akuza për vrasje, plagosje, atentate të mbetura në tentativë, trafik droge etj. Megaoperaconi u zhvillua në maj të vitit 2022 duke sjellë arrestimin e disa prej personazheve të njohura të botës së krimit dhe shpalljen në kërkim të bossit të lojërave të fatit Ervis Martinaj. Ky i fundit humbi gjurmët në gusht të vitit 2022 dhe asnjë prej familjarëve të tij nuk ka më kontakt, duke hedhur dyshime mbi fatin e tij. Versus.al







