AKTUALITET /

Policia bën bilancin për muajin nëntor: megaoperacione, arrestime masive dhe ngjarje të zbardhura brenda orësh

“Policia e Shtetit publikoi bilancin e nëntorit: 115 operacione, mbi 600 arrestime dhe sekuestrime të mëdha armësh, drogash e pasurish, në një muaj të mbushur me goditje ndaj grupeve kriminale.

Shkruar nga Versus
Policia bën bilancin për muajin nëntor: megaoperacione, arrestime
Pamje të publikuara nga Policia e Shtetit

Policia e Shtetit ka publikuar bilancin mujor për nëntorin, duke evidentuar një sërë operacionesh dhe goditjesh ndaj veprimtarive kriminale në të gjithë vendin. Sipas njoftimit zyrtar, rezultatet janë arritur falë punës operacionale dhe hetimore, si edhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë muajit të kaluar, u finalizuan 115 operacione policore, mes tyre 13 me karakter ndërkombëtar për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, kryesisht të përfshirë në organizata kriminale. Në total, 602 persona u arrestuan për vepra të ndryshme penale.

Gjatë aksioneve u sekuestruan sasi të konsiderueshme armësh, lëndësh plasëse dhe drogash: 5.6 kg lëndë shpërthyese, 29 granata, mijëra kapsolla detonatore, 41 armë zjarri, rreth 7000 fishekë, si dhe rreth 7 kg kokainë, 85 kg kanabis, 1516 bimë narkotike dhe 300 fara kanabisi. Po ashtu, u bllokuan pasuri me vlerë 12 milionë euro, 120 mijë euro të ardhura kriminale në cash, mjete, pajisje dhe dokumente të falsifikuara.

Ndër operacionet më të rëndësishme ishte “Oroshi”, i zhvilluar nga RENEA, Antiterrori dhe Policia e Shkodrës e Pukës, që pas 12 orësh rrethim çoi në arrestimin e dy shtetasve që kishin kërcënuar me armë efektivët e policisë. Në Vlorë, u zbardh brenda pak orësh vrasja e një 36-vjeçari në Gjorm, duke u arrestuar autori 32-vjeçar i shumëkërkuar.

Tre megaoperacionet “Labirinti”, “Cleaning 3” dhe “Andromeda” rezultuan në arrestimin e 53 anëtarëve të grupeve kriminale të trafikut të drogës në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Në Tiranë dhe Tropojë u parandaluan tentativa për trafik droge dhe lëndësh plasëse drejt Kosovës, ndërsa u goditën edhe raste të trafikimit të automjeteve të vjedhura nga vendet e BE-së.

Në bashkëpunim me qytetarët, Policia zbuloi 8 ambiente të mbyllura për kultivimin e kanabisit me llamba, 5 banesa ku ushtrohej prostitucion dhe 9 lokale të përshtatura për kumar të paligjshëm. Në fushën e krimeve ekonomike u goditën 42 raste, ndërsa krimi kibernetik finalizoi 12 procedime për pornografi me të mitur, mashtrime financiare dhe vjedhje llogarish.

Gjatë nëntorit u zbardhën 8 ngjarje kriminale të rënda dhe u finalizuan 17 operacione kundër vjedhjeve në banesa e biznese. Po ashtu, u ndaluan 5 raste të trafikimit të emigrantëve drejt BE-së dhe 4 raste të gjuetisë së paligjshme.

Operacioni kombëtar “Hapësira publike” goditi 164 raste të veprimtarive informale në ambiente publike dhe çoi në procedimin e 98 drejtuesve të mjeteve për parkime të parregullta që pengonin qarkullimin.

Sa i përket sigurisë rrugore, u arrestuan 220 drejtues mjetesh, u pezulluan 316 patenta dhe u vendosën mbi 113 000 gjoba. Pikat kufitare evidentuan 47 raste kalimi të paligjshëm, 11 tentativa me dokumente false, 10 raste kontrabande dhe 5 raste trafiku narkotikësh./Versus.al

Poll