Policia e Shtetit ka publikuar bilancin zyrtar për muajin maj, duke bërë të ditur rezultatet e arritura në luftën kundër krimit dhe veprimtarive të paligjshme. Gjatë këtij muaji janë zhvilluar 99 operacione policore, nga të cilat 34 me karakter ndërkombëtar.
Në pranga kanë përfunduar 625 persona të dyshuar për vepra penale të ndryshme. Gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar 50 armë zjarri, rreth 84 kilogramë kanabis, sasi të kokainës dhe 2,861 fara cannabisi. Gjithashtu, janë bllokuar pasuri dhe para me vlerë rreth 410 mijë euro, të dyshuara si përfitime nga aktivitete kriminale.
Në kuadër të megaoperacionit “Koordinata”, janë asgjësuar gjithsej 8,269 bimë dhe fidanë kanabisi. Vetëm në Tiranë dhe Shkodër, 13 persona janë arrestuar për trafikim armësh në dobi të grupeve kriminale, ndërsa në Durrës, 7 të tjerë – përfshirë 3 me rrezikshmëri të lartë – janë kapur me armë të gatshme për përdorim brenda një restoranti.
Policia ka zbardhur 10 ngjarje kriminale të rënda dhe ka parandaluar 8 konflikte që rrezikonin të përshkallëzoheshin, përfshirë dhe situata me armë zjarri. Në Fier u zbulua një banesë e kthyer në laborator për kultivim të bimëve narkotike me pajisje ndriçimi speciale, ndërsa në Tiranë u shkatërrua një “call center” i përfshirë në mashtrime kibernetike.
Ndërkohë, janë finalizuar 22 operacione kundër vjedhjeve dhe janë goditur 13 raste kontrabande në pikat kufitare. Po ashtu, janë ndërprerë aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit dhe disa tentativa për trafik emigrantësh.
Sektori i Policisë Rrugore ka vijuar me kontrolle intensive, duke ndaluar 155 drejtues mjetesh – prej të cilëve 107 për drejtim në gjendje të dehur dhe 48 pa leje drejtimi. Janë pezulluar gjithsej 191 leje drejtimi dhe janë vendosur mbi 12 mijë gjoba për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit, veçanërisht për tejkalim shpejtësie.
Nga ana tjetër, Policia Kufitare ka evidentuar 50 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 22 tentativa me dokumente të falsifikuara dhe 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike./Versus.al







