AKTUALITET /

Policia publikon pamjet nga operacioni anti-drogë në Elbasan: 16 të ndaluar dhe 9 kg drogë e sekuestruar (EMRAT)

Aksioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 2 majit, ku Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në bashkëpunim me strukturat vendore të policisë, kanë zbarkuar në terren për ekzekutimin e 24 masave të sigurisë të lëshuara nga Prokuroria.

Shkruar nga Versus
Policia publikon pamjet nga operacioni anti-drogë në Elbasan: 16
Pamje nga aksioni

Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga Policia e Elbasanit ka çuar në goditjen e një grupi të shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 16 persona të arrestuar dhe 8 të tjerë të shpallur në kërkim.

Aksioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 2 majit, ku Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në bashkëpunim me strukturat vendore të policisë, kanë zbarkuar në terren për ekzekutimin e 24 masave të sigurisë të lëshuara nga Prokuroria.

Gjatë operacionit u arrestuan 8 persona, ndërsa 8 të tjerë ishin ndaluar më herët gjatë një hetimi njëvjeçar, i cili është zhvilluar me metoda speciale, përfshirë agjentë të infiltruar dhe përgjime filmike. Mes të arrestuarve janë Agron Biba, Rinor Hajdari, Indrit Shahinaj, Lulëzim Fetaj dhe Mynyr Çepi.

Ndërkohë, policia vijon punën për kapjen e 8 personave të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 27 banesa dhe ambiente të ndryshme, janë sekuestruar 9 kilogramë kanabis i ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gramë kokainë, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 telefona celularë.

Sipas autoriteteve, grupi dyshohet se operonte në disa zona të qarkut Elbasan, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i policisë:

Elbasan
Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun Elbasan.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Në kuadër të operacionit, nga Prokuroria Elbasan janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.

Ekzekutohen 16 urdhra ndalimi, (8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë operacionit të sotëm dhe 8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë periudhës hetimore njëvjeçare).

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen edhe të 8 shtetasve të tjerë, të cilët gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa.

Ndërkohë, gjatë operacionit të zhvilluar ditën e sotme, është kapur edhe 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe është arrestuar në flagrancë një shtetas tjetër për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gram kokainë, një pjesë gati për shitje, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.

Strukturat për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale prej disa muajsh, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”, që kishte në fokus goditjen e shtetasve të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetet Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas.

Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i 8 urdhrave të ndalimit për shtetasit I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.

Gjithashtu, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. H., 39 vjeç, si dhe u kap shtetasi në kërkim P. Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u ekzekutuan 27 vendime të Gjykatës për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme.

Strukturat e Hetimit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.Versus.al

Poll