Gjykata e Romës ka nxjerrë një urdhër gjykimi të shkurtuar ndaj Nors Manlapaz, nëna e Mark Antony Samson, 23-vjeçarit që ka pranuar se ka vrarë studenten shqiptare Ilaria Sula, vetëm 22 vjeç.
Sipas vendimit të gjyqtares hetuese Antonella Minunni, Manlapaz përballet me akuzën për komplot për të fshehur një kufomë, një vepër penale e rënduar nga e ashtuquajtura lidhje teleologjike, që nënkupton se veprimi është kryer me qëllimin për të fshehur një krim tjetër – në këtë rast, vrasjen.
Seanca dëgjimore për çështjen ndaj saj është planifikuar për 10 dhjetor dhe do të zhvillohet përpara një gjyqtari të vetëm, në Gjykatën e Romës.
Burime pranë mbrojtjes bëjnë me dije se Manlapaz mund të kërkojë ndjekjen e një procedure alternative, duke përfshirë pranimin e fajësisë, për të përfituar nga lehtësimet ligjore të dënimit.
Ngjarja tragjike që çoi në vrasjen e Ilaria Sula-s ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik italian. Përfshirja e nënës së autorit në një rol të mundshëm bashkëpunimi pas krimit e ndërlikon më tej çështjen, duke e kthyer në një rast të ndjeshëm si nga aspekti ligjor, ashtu edhe nga ai moral. /Versus.al







