
Tiranë- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zgjatur me 3 muaj më shumë hetimet për ish-zv.kryeministrin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Ahmetaj, i cili dyshohet se ka aplikuar për azil politik në Zvicër dhe prandaj nuk mund të merren masa për arrestimin e tij.
Pritej që hetimet për Ahmetajn i cili akuzohet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion pasiv të përfundonin më 21 qershor, por pas njoftimit të sotëm të SPAK, i cili i është komunikuar edhe avokatëve të Ahmetajt, dosja hetimore në GJKKO pritet të dorëzohet në shtator të këtij viti.
Që prej korrikut të vitit të kaluar, Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij është caktuar masa "arrest me burg". Në dosjen voluminoze të SPAK për çështjen e inceneratorëve, Ahmetaj akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët kundrejt përfitimeve monetare.
Ndërkohë, vetë ish-numri dy i qeverisë së socialistëve dhe ish-krahu i djathtë i Ramës për shumë vite, nuk është ka paraqitur asnjë provë që kundërshton akuzat ndaj tij por është mjaftuar me pastime në facebook apo dalje televizive ku ka shënjestruar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për afera korruptive dhe lidhje me anëtarë të krimit të organizuar. Së fundmi ai u shfaq edhe në dokumentarin e televizionit italian “Rai 3” ku fliste me gazetarin me të cilin po darkonte dhe tregonte sesi kreu i qeverisë Edi Rama komunikonte me anëtarë të krimit të organizuar nëpërmjet një biznesmeni në Durrës të quajtur Ergys Agasi.
Ahmetajnt, i janë sekuestruar 6 pasuri, 4 apartamente dhe 2 llogari bankare në shumën 124 300 euro, mes tyre dhe vilat e ish-gruas dhe bashkëjetueses së Ahmetajt, në Palasë dhe Gjirin e Lalëzit. Për të njëjtën çështje, janë marrë të pandehura edhe ish-bashkëshortja e Ahmetajt Albina Mançka, dhe bashkëjetuesja aktuale Erjola Hoxha, për “fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash”. Po ashtu, të pandehur janë marrë edhe disa biznesmenë. Vetë Ahmetaj nëpërmjet avokatëve të tij dorëzoi në Gjykatën e Lartë rekurs të vendimit për sekuestron e pasurive, kërkesë kjo që iu rrëzua më dhjetor të vitit të kaluar. Versus.al







