AKTUALITET /

Prej rreth 8 muajsh në qeli, Gjykata e Lartë merr sot vendimin për kryebashkiakun e shkarkuar, Erion Veliajn

Pavarësisht se Kushtetuesja pezulloi shkarkimin e Veliajt pasi mori në shqyrtim ankimin e tij, Begaj dekretoi dje datën 9 nëntor për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë dhe 5 bashki të tjera.

Shkruar nga Versus

Prej rreth 8 muajsh në qeli, Gjykata e Lartë merr sot vendimin

Gjykata e Lartë do të marrë sot vendimin mbi rekursin e bërë nga Erion Veliaj për t’u liruar nga qelia ku po mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti. Albana Boksi është caktuar relatore e seancës.

Ndaj kryebashkiakut të shkarkuar rëndojnë akuzat për 5 vepra penale, korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Veliajn se ka ngritur një skemë për përfitime të paligjshme parash nga fondet publike të bashkisë Tiranë. Sipas SPAK, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, Veliaj kishte ngritur një skemë të mirëorganizuar për qarkullimin e parave të përvetësuara prej tij. Organizatat jofitimprurëse të gruas së tij financoheshin nga bashkia Tiranë. Gjithashtu edhe biznesmenë në fushën e ndërtimit pasi merrnin tendera nga bashkia Tiranë, bënin donacione për organizatat nën drejtimin e Xoxës.

Kësaj të fundit iu zbuluan blerje me kartë bankare për bizhuteri e veshje deri në shumën e 850 mijë eurove.

Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Në kundërshtim të këtij vendimi, Veliaj depozitoi ankim në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se po shkelej autonomia vendore dhe se nuk e kishte kryer shkeljen që pretendohej pasi ishte në pamundësi fizike për t’u paraqitur në detyrë.

Pavarësisht se Kushtetuta e përcakton se në rast të tillë, çdo vendimmarrje e këshillit të ministrave pezullohet, presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera që nuk kanë kryetarë. Versus.al

Poll