AKTUALITET /

Presidentja Vjosa Osmani kërcënohet sërish me jetë: Janë nis me të vra k***

Kërcënimet, të cilat përmbajnë gjuhë të rëndë dhe kërcënime të drejtpërdrejta fizike, kanë ngritur shqetësim të thellë për sigurinë e Kryetares së Shtetit.

Shkruar nga Versus

Presidentja Vjosa Osmani kërcënohet sërish me jetë:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar për herë të dytë me jetë brenda një jave, përmes mesazheve të ardhura në adresën zyrtare të Presidencës. Kërcënimet, të cilat përmbajnë gjuhë të rëndë dhe kërcënime të drejtpërdrejta fizike, kanë ngritur shqetësim të thellë për sigurinë e Kryetares së Shtetit.

Në e-mailin e fundit, i cili mbërriti sot në mëngjes, thuhet: “Janë nis me të vra k*** edhe shpijunat e Serbisë, polici çka janë me armë kontrabandume”. Ky është mesazhi i dytë i natyrës kërcënuese pas atij të mëparshëm, ku përdorej fjalori: “të vraj, t’prej”, dhe ofendime të tjera të rënda me tone të ashpra kriminale.

Presidenca e Kosovës kishte kërkuar para shtatë ditësh nga institucionet e rendit që të marrin masa konkrete për mbrojtjen e Presidentes, por pavarësisht kësaj, kërcënimet kanë vijuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se është duke hetuar çështjen dhe ka caktuar një prokuror të posaçëm për trajtimin e saj me prioritet të lartë. Sipas njoftimit, veprimet hetimore janë në zhvillim e sipër për të identifikuar autorin apo autorët dhe për të garantuar ndëshkimin e tyre.

“Rasti do të trajtohet me prioritet të lartë. Janë ndërmarrë veprime fillestare dhe po punohet intensivisht për zbardhjen e plotë të këtyre kërcënimeve, të cilat përbëjnë vepër të rëndë penale”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale.

Kërcënimet ndaj një figure të tillë shtetërore përbëjnë sulm jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj institucionit të Presidentit dhe rendit demokratik të Republikës së Kosovës. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ka ndonjë person të dyshuar apo të arrestuar në lidhje me rastin.

Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe politik, me thirrje për transparencë dhe rritje të masave të sigurisë ndaj figurave të larta shtetërore. /Versus.al/

Poll