Gjykata e Posaçme nuk ka nisur gjykimin dhe ka kthyer mbrapsht dosjen hetimore të SPAK për fabrikën “Buka”, për të cilën është nën akuzë ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj.
Gjykata i ka lënë Prokurorisë së Posaçme 3 muaj kohë për të plotësuar hetimet dhe për të ridërguar dosjen në GJKKO. Ish-numri dy i qeverisë në këtë dosje akuzohet për shpërdorim detyre duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh.
Prokurori Elvin Gokaj ka afat deri më 10 mars të vitit të ardhshëm për të plotësuar hetimet e munguara në dosjen sipas të cilës Ahmetaj akuzohet nga SPAK se ka shpërdorur detyrën duke favorizuar për të privatizuar shoqërinë “Buka sha” nga biznesmeni Lirim Fezollari.
Që nga muaji korrik i vitit 2023, Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim ndërkombëtar për çështjen e inceneratorëve, për disa vepra penale për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Versus.al








