Një kameraman në Kosovë është arrestuar, pasi ishte duke filmuar në një shkollë në Prishtinë, ku studiojnë edhe vajzat e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj disa mediave dhe individëve që, sipas saj, kanë publikuar pamje dhe informacione të ndjeshme që rrezikojnë sigurinë e fëmijëve të saj të mitur. Në një deklaratë publike, ajo ka theksuar se për pesë vite me radhë, vajzat e saj kanë ndjekur mësimet në shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, përkundër sfidave serioze me të cilat është përballur kjo shkollë.
“Jam falënderuese përjetësisht ndaj mësueses së tyre të shkollës fillore, e cila, sikurse edhe për çdo nxënës tjetër, është siguruar që vajzat tona të mësojnë maksimalisht e të marrin hapat e parë të sigurt drejt zhvillimit të tyre profesional”, thuhet në reagimin e Presidentes, e cila po ashtu falënderon stafin dhe udhëheqësinë e shkollës për bashkëpunimin e tyre me prindërit.
Sipas saj, gjatë këtyre viteve vajzat e saj janë përballur me kushte të vështira infrastrukturore dhe të sigurisë, përfshirë mungesën e kanalizimeve funksionale, ndërprerje të rregullta të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokim të tualeteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në objekt, numër të lartë nxënësish për klasë, si dhe incidente me mjete të rrezikshme të konfiskuara nga disa nxënës.
Megjithatë, Presidentja shpreh zhgënjimin se, pavarësisht faktit që familja e saj ka zgjedhur arsimin publik, asnjëherë nuk është raportuar nga mediat se fëmijët e Presidentes së Kosovës ndjekin shkollën publike në vend, ndryshe nga shumë zyrtarë dhe gazetarë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda dhe jashtë vendit.
Ajo ka kritikuar ashpër disa gazetarë të cilët, sipas saj, jo vetëm që kanë neglizhuar këtë aspekt pozitiv, por kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e vajzave të saj duke publikuar informacione të ndjeshme për vendndodhjen, klasat dhe pamjet e tyre pa autorizim, përkundër moshës së tyre të mitur.
“Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë Policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim nuk e kam bërë unë,” ka theksuar ajo.
Presidentja shton se një pjesë e madhe e këtij rreziku vjen pikërisht nga ekspozimi i pajustifikuar publik i fëmijëve nga mediat, gjë që sipas saj nuk është pjesë e lirisë së shprehjes në asnjë vend demokratik. Ajo paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të mbrojtur fëmijët e saj.
“Fëmijët e mitur, të kujtdo qofshin ata, nuk janë subjekt i interesit publik politik. Imazhet dhe incizimet e paautorizuara të tyre në rrethana private shkaktojnë rrezik për sulme, kanosje e kidnapime eventuale,” thuhet më tej në deklaratë.
Lidhur me ndryshimin e shkollës së vajzave të saj, Presidentja sqaron se vendimi është marrë për arsye sigurie dhe për shkak të ndryshimit të vendbanimit, pasi shkolla “Ismail Qemali” ndodhet tashmë shumë larg nga shtëpia e tyre.
Në përfundim, Presidentja kujton se nuk ka asnjë kompetencë ligjore në çështjet e sistemit arsimor, përveç dhënies së sugjerimeve – gjë që ajo thotë se e ka bërë vazhdimisht. Ajo e pranon se janë bërë përpjekje për përmirësim, por sfidat mbeten të mëdha dhe të vazhdueshme.







