Procesi gjyqësor për dosjen e shumëpërfolur “Metamorfoza” ka nisur mes mungesash dhe debatit për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura.
Në seancë munguan të pandehurit Pëllumb Gjoka, Asmer Bilali dhe Xhevahir Lita, ndërsa të pranishëm ishin Behar Bajri, Edmond Preka, Ardit Hasanbegaj dhe Oltion Bistri.
Për shkak të një fatkeqësie familjare, avokatja e Edmond Prekës nuk ishte e pranishme. Po ashtu, mungoi edhe mbrojtësi ligjor i Ardit Hasanbegajt për arsye shëndetësore.
Gjatë seancës, i pandehuri Behar Bajri (i njohur edhe si Behar Bajrovic) kërkoi që gjykimi të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se mediat e kishin paragjykuar atë.
'Nuk i dua gazetarët, se më kanë paragjykuar nëpër televizore. Nuk jam dakord të vazhdojë seancë në praninë e tyre.' mësohet të ketë thënë Bajri, kërkesë e cila u rrëzua nga Gjykata.
Ndërsa Prokurori Arben Kraja është shprehur gjatë seancës 'se në kushtet kur mungojnë dy avokatë dhe dy të pandehur, mbetet që të shtyhet seanca dhe të pezullohen afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit. Nuk jemi përballe rastit kur gjyqi duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura.'
Nisur nga këto kundërshtime dhe mungesa GJKKO vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në datën 30 janar 2025./Versus.al







