AKTUALITET /

Projektligji, të huajt mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri 7 vite pasi të antarësohemi

Shkruar nga Versus

Projektligji, të huajt mund të blejnë tokë bujqësore

Të huajt mund të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri por kjo do të jetë  e mundur 7 vite pasi vendi të jetë anëtarësuar.

Një projektligj i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, hap rrugën për blerjen e tokës bujqësore nga shtetas dhe kompani të huaja, me efekt pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Projektligji përcakton se “personat fizikë dhe juridikë të huaj mund të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore private ose për tokën bujqësore e përfshirë në fondin ‘tokë bujqësore shtetërore e disponueshme (e pandarë)’”.

Sipas draftit, e drejta e blerjes do të kufizohet “për 2 ha brenda një bashkie dhe deri 30 ha në shkallë Republike”.

Dokumenti specifikon se personat e huaj “kanë të drejtë të blejnë tokën bujqësore vetëm për investime në fushën e bujqësisë si në pronë shtetërore ose private”.   Projektligji përcakton gjithashtu se “kalimi i së drejtës së pronësisë lejohet vetëm për tokën bujqësore dhe nuk përfshin kategori të tjera të pasurive të paluajtshme”.

Në nenin për kriteret e fitimit të pronësisë, drafti parashikon që personat fizikë dhe juridikë të huaj mund të fitojnë tokë bujqësore vetëm nëse “janë rezident të përhershëm në Republikën e Shqipërisë për një periudhë jo më pak se 5 vjet”.

Po ashtu, ata duhet “të kenë zhvilluar veprimtari bujqësore ose agrobiznesi në Republikën e Shqipërisë, të dokumentuar për të paktën 3 vjet”, si dhe “të kenë arsim ose përvojë profesionale në fushën e bujqësisë”.

Drafti kërkon gjithashtu që aktiviteti të ushtrohet “përmes një shoqërie tregtare të regjistruar në Republikën e Shqipërisë”.   Projektligji ndalon tjetërsimin e tokës bujqësore në favor të të huajve kur prona “është objekt i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve”, “është objekt i projekteve ose investimeve strategjike”, apo “shtrihet në zona me karakter ushtarak ose me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare”.

Ndalimi shtrihet edhe për tokat që “ndodhen në zona që përmbajnë vlera muzeore, arkeologjike ose historike, si dhe në parqe kombëtare, rezervate natyrore apo zona të mbrojtura të florës dhe faunës”.

Pas fitimit të pronësisë, projektligji përcakton se subjektet e huaja janë të detyruara “ta përdorin tokën vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale” dhe “të mos ndryshojnë kategorinë ose destinacionin e përdorimit të tokës bujqësore”.

Drafti parashikon gjithashtu që ata “të ushtrojnë aktivitet real bujqësor ose agrobiznes në tokën e fituar në pronësi”.

Në rast të mosrespektimit të detyrimeve, autoritetet kompetente “kanë të drejtë të marrin masa sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë revokimin e së drejtës së pronësisë ose vendosjen e sanksioneve administrative”.   Projektligji përcakton se procedurat, afatet dhe dokumentacioni për trajtimin e kërkesave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Monitor.al

Poll