Durrës- Është shtyrë mbledhja e këshillit bashkiak e cila po mbahej në kuadër të projektit TID i cili do të sjellë shpronësimin e 74 familjeve të cilave do t’u shemben banesat për t’i hapur rrugë projektit.
Shkak për shtyrjen e mbledhjes u bënë edhe protestat e banorëve të cilët ndikuan në qëndrimin e këshilltarëve bashkiakë të PS të cilët vendosën që të mos votonin për pikën e subvencionimit të qirave për familjet e prekura nga TID.
Grupi i këshilltarëve të shumicës vendosi të mos kalojë në votim këtë mbledhje, pa pjesëmarrjen e këshilltarëve të opozitës.
Kjo pikë mund të hidhet për votim në mbledhjen e ardhshme.
Çfarë është projekti TID?
Bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.
Por projekti ka shkaktuar shqetësime, pasi parashikon të prekë dhjetra prona private dhe t’i shpronësojë ato me vlera poshtë çmimit të tregut.
Qeveria ka lëvruar një shumë të përgjithshme prej 315,5 milionë lekësh, të cilat do t’i shërbejnë shpronësimit të një grupi prej 74 familjesh. VKM e fundit përcakton se banesat ndodhen kryesisht në të dy anët e bulevardit “Epidamn”. Versus.al

