AKTUALITET /

PS propozon ndryshime të forta në Kodin Rrugor: U hiqet patenta shoferëve që kapen me alkool më shumë se një herë! Rregulla të forta për drejtuesit e rinj

Drafti i ri i Partisë Socialiste parashikon masa më të ashpra për shoferët e rinj, drejtuesit pa patentë dhe ata që përsërisin shkeljet nën efektin e alkoolit. Ndryshimet përfshijnë kufizime në oraret e qarkullimit, shpejtësinë dhe përdorimin e celularit gjatë drejtimit.

Shkruar nga Versus

PS propozon ndryshime të forta në Kodin Rrugor: U hiqet patenta

Partia Socialiste ka përgatitur një draft me ndryshime të rëndësishme në Kodin Rrugor, duke propozuar masa më të ashpra për shoferët e rinj, drejtuesit pa patentë dhe ata që përsërisin shkeljet nën efektin e alkoolit.

Drafti, që mban firmën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe deputetit Erion Braçe, parashikon që shoferëve që kapen në timon me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, t’u hiqet përgjithmonë patenta.

Ndryshimet e propozuara:

1.Nëse kapesh duke drejtuar mjetin pa patentë, për 1 vit nuk mund të pajisesh me leje drejtimi, përveç përgjegjësive sipas legjislacionit penal.

2.Për të miturit që kapen pa patentë, afati për t’u pajisur me leje drejtimi shtyhet me 2 vite nga momenti kur u lind kjo e drejtë.

3.Kufiri minimal i moshës për të marrë patentën për herë të parë propozohet të rritet nga 18 në 20 vjeç.

4.Shoferët në vitin e parë të patentës nuk do të lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli gjatë drejtimit të mjetit.

5.Për shoferët e rinj vendosen kufizime të reja të shpejtësisë: maksimumi 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara.

6.Shkelja e këtyre kufizimeve parashikon gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për 1 muaj dhe heqje pikësh.

7.Shoferët e rinj deri në 2 vite eksperiencë nuk do të lejohen të drejtojnë mjetin nga ora 24:00 deri në 06:00 pa u shoqëruar nga një person që ka patentë prej të paktën 3 vitesh.

8.Nëse drejtuesi nuk kryen asnjë shkelje brenda vitit të parë, kufizimet hiqen automatikisht.

9.Nëse kryhen 2 shkelje gjatë periudhës së provës, periudha zgjatet edhe me 1 vit.

Drafti parashikon edhe ndalimin e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të biçikletave dhe motorëve elektrikë.

Sipas socialistëve, ndryshimet synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve nga shkeljet e rënda në qarkullim./Versus.al

Poll