
Shoqëria shqiptare po kalon së fundmi në një periudhë krize sociale ku vihen re rastet e shtuara të armëmbajtjeve pa leje dhe krimeve për motive banale apo përdorimi i lëndëve të ndryshme narkotike.
Ky fenomen ka prekur edhe të rinjtë të cilët synonin që të ishin pjesë e policisë së shtetit gjatë provimeve të zhvilluara së fundmi për të hyrë në Akademinë e Sigurisë. Sipas një mesazhi anonim që një prej punonjësve të Akademisë së Sigurisë i ka dërguar JOQ, ka një rritje alarmante të numrit të të rinjve të cilët rezultonin përdorues droge dhe shumë prej tyre kishin shfaqur probleme të theksuara psikologjike.
Punonjësi u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë që të reagojnë dhe të marrin nën kontroll fëmijët duke mos i lënë të frekuentojnë diskotekat deri në orët e vona dhe që t’u bëjnë pyetje të caktuara për të parë gjendjen e tyre emocionale.
Denoncimi i plotë:
Pershendetje JOQ! Unë jam një punonjës prej vitesh në Akademinë e Sigurisë dhe kam marrë pjesë vazhdimisht në proceset e verifikimeve përfundimtare të kandidatëve që aplikojnë për Policinë e Shtetit.
Këtë vit, ndryshe nga çdo vit tjetër, kam mbetur realisht pa fjalë. Një numër i madh të rinjsh e të rejash, të moshave 19, 22 dhe 25 vjeç, janë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, dhe shumë prej tyre kanë treguar probleme të theksuara psikologjike.
Apeli im është drejtuar prindërve shqiptarë. Ju lutem, kontrolloni fëmijët tuaj, flisni me ta, mos i lini deri vonë nëpër diskoteka apo ambiente ku humbasin kontaktin me realitetin. Përpiquni ti kuptoni, ti testoni me pyetje të thjeshta që tregojnë gjendjen e tyre emocionale, sepse shumë prej tyre kanë nevojë për ndihmë, jo vetëm për qortim.
Nga verifikimet e fundit, rreth 30% e aplikantëve janë skualifikuar në fazën e testit të drogës dhe atij psikologjik, ndërsa vetëm 70% kanë arritur të kalojnë për tu përgatitur për testin me shkrim, në garën për 350 vende vakante në Policinë e Shtetit. Shqetësues mbetet fakti që përdorimi i drogave po përfshin edhe vajza të reja, gjë që tregon se ky fenomen po përhapet në mënyrë alarmante.
Ky nuk është një kritikë, por një thirrje për ndërgjegjësim dhe reflektim, për prindërit dhe për shoqërinë në tërësi. Rinia jonë po humbet në rrugë të rrezikshme dhe është koha të veprojmë të gjithë bashkë. Faleminderit nëse do ta publikoni këtë apel si një shqetësim serioz dhe real që prek çdo familje shqiptare. Versus.al
