Mediat e Kosovës kanë publikuar një audiopërgjim në të cilin dyshohet se është përfshirë analisti i arrestuar për spiunazh, Fatmir Sheholli.
Në audion e nxjerrë nga RTK dëgjohet teksa Sheholli bisedon me dy persona, një grua e një burrë të cilëve u tregon për lidhjet e tij me Listën Serbe dhe me terroristin Milan Radoiçiç që organizoi sulmin në Banjskë ku u vra një polic i Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi të enjten se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar Fatmir Sheholli, nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”.
“Unë jam me ta para së gjithash mik i madh, përndryshe edhe punojmë aktivisht. Pozita ime është shumë e çuditshme për opinionin. Unë kam përkrahje të madhe në Serbi nga Lista Serbe në gjithçka. Miku im i madh është Milan Radoiçiç”- shprehet Sheholli ndër të tjera në audiopërgjimin e publikuar.
Gjithashtu, gjatë së enjtes njësitë relevante të Policisë së Kosovës kryen bastisje në vendbanimin e Shehollit, duke larguar nga vendi i ngjarjes provat materiale që mund të lidhen me hetimet. Versus.al







