Pas raportimeve të shumta mediatike dhe interesit në rritje të publikut mbi një vendim të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e një pasurie në zonën e Selitës, avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kanë reaguar përmes një deklarate zyrtare.
Në reagimin për mediat, përfaqësuesit ligjorë të çiftit mohojnë kategorikisht çdo lidhje me pronën e sekuestruar, duke theksuar se as Veliaj dhe as Xoxa nuk janë pronarë të saj, dhe se nuk kanë asnjë marrëdhënie pasurore apo ligjore me kompaninë “A.K.” shpk, subjekt ndaj të cilit është vendosur masa e sekuestros nga autoritetet hetimore.
“Banesa ku jeton çifti është një pronë e krijuar nga zonja Xoxa përpara lidhjes së martesës dhe asnjëherë nuk ka qenë objekt hetimi apo sekuestroje nga ndonjë institucion ligjzbatues,” thuhet në deklaratë. /Versus.al/







