
Sot u organizua një konferencë me rastin e 30 vjetorit të pranimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës ku kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi mbajti një fjalim të fortë me kritika ndaj politikës sa i takon ecurisë së Reformës në Drejtësi.
Ai theksoi se “Reforma në drejtësi nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe ndershmëri me të cilën u ndërtua. Ajo lindi nga konsensusi më i gjerë politik në historinë e pluralizmit shqiptar, me 140 vota ‘pro’ dhe me dakordësinë e plotë të Komisionit të Venecias, që u bë garancia ndërkombëtare e legjitimitetit të saj.”
Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.
“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur.”
Sipas tij drejtësia shqiptare duhet të hyjë në fazën e vetëpërmirësimit dhe të konsolidimit, duke e çliruar veten nga “kompleksi i reformave” dhe duke fituar besimin përmes sjelljes dhe vendimeve të ndershme. “Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me sjellje dhe me vendime që mbrojnë ligjin dhe dinjitetin njerëzor.”
Në përfundim, Kryetari Sadushi u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe politikës që të mbajnë gjallë frymën e reformës përmes integritetit, guximit dhe përulësisë para ligjit: “Le ta bëjmë drejtësinë pasqyrë të më të mirës që kemi si komb, me integritet që nuk blihet, me dinjitet që nuk përkulet dhe me etikë që nuk komprometohet.” Versus.al







