Ish-Zëvendës-Ministri i Arsimit dhe studiuesi shkencor Taulant Muka ka bërë një kallëzim penal ndaj kryetarit të Senatit Akademik të UT-së, Rektor i UT-së dhe anëtar i Departamentit të së Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha dhe ndaj anëtares së Senatit Akademik të UT-së, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë dhe anëtare e Departamentit të së Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.
Rektori Artan Hoxha dhe Dekania e Jurdikut, Dorina Hoxha, sipas Mukës, ka kryer veprën penale të plagjiaturës në punimet e tyre doktorale ku dhe kanë marrë titujt respektivë “Doktor Shkencash”.
Ajo që bie në sy në padinë e studiuesit shkencor Taulant Muka është fakti se si Artan Hoxha ashtu edhe Dorina Hoxha kanë të njëjtin pedagog udhëheqës Prof. Dr. Skënder Kaçupi.
Me një email të shpërndarë, Taulant Muka ka hedhur dritë me mënyrën se si u zbuluan këto “vjedhje” të pretenduara nga Muka të punës së dikujt tjetër, duke përfituar titujt e lartë shkencorë dhe akademikë, pikërisht nga dy njerëz të sistemit të drejtësisë.
“Ky është një nga fenomenet më vrastare të shoqërisë shqiptare. Praktikisht kemi të bëjmë me plagjiatura të nivelit të lartë akademikë. Janë ata të cilët duhej të ishin modeli oi të rinjve shqiptarë, me qëllimin për t’u bërë profesionistë të denjë në shoqërinë ku ne jetojmë.
Kemi Artan Hoxha, i cili është Rektor dhe kandidat i vetëm për Universitetin e Tiranës, i cili ka një doktoraturë të kryer me plagjiaturë.
Ai ka kopjuar një doktoraturë tjetër në Rumani dhe e ka kopjuar fjalë për fjalë. Pra, ka bërë si të thuash një “copy-paste” dhe “google translate”.
Kisha 3 javë që jam marrë me materialin e z. Hoxha dhe shikoja që nuk kishte asnjë mundësi që të ishte origjinal, kisha dyshimet e mia, kërkoja në gjuhën italiane, angleze si gjuhë që z. Hoxha i njeh, dhe nuk ma merrte mendja që z. Hoxha do të kishte një material në një tjetër gjuhë që nuk e njeh.
Pra, të vësh emrin në një përkthim të cilin ti nuk di madje as ta lexosh, është një skandal më vete.
Edhe referencat i punimit i kishin kopjuar të gjitha njëlloj. Është skandal edhe më i madh se z. Hoxha ka publikuar dhe një libër të cilin ua jep dhe studentëve dhe nuk ka asnjë garanci që është i denjë pasi edhe ai mund të jetë i kopjuar.
Të kthehemi tek punimi është një material i kopjuar fjalë për fjalë, pa asnjë kontribut shkencor apo akademik të z. Hoxha dhe ky është një turp shumë i madh për shkencën shqiptare dhe për gjendjen e arsimit që ne kemi në Shqipëri.
Mos harrojmë se kemi 6 vite që flasim për plagjiatura dhe e kemi ngritur nivelin tek politikanët, dhe pritej që të kishte një reformë të thellë në këtë drejtim dhe një vizion të ri për mënyrën se si shikohet shkenca në Shqipëri, por shikojmë sot që kemi një përsëritje të rasteve dhe fenomeneve që kanë ndodhur gjatë këtyre 30 viteve. Z. Hoxha ka përkthyer fletë të tëra, dhe nuk është se ka përkthyer një fragment. Dhe doktoratura e autores rumune gjendet online, ndërsa doktoratura e z. Hoxha nuk është online, siç dhe ka ndodhur edhe me kandidatë të tjerë për dekanë e rektorë në këtë vend.
Po ashtu në këtë shembull është dhe znj. Dorina Hoxha, Dekane e Juridikut dhe mos harroni që po flasim për Artan Hoxhën dhe Dorina Hoxhën që janë profesorë të së drejtës dhe ligjit dhe rrjedhimisht këta të dy kanë mashtruar me karrierën e tyre akademike.
Edhe znj. Hoxha ashtu si dhe Artan Hoxha, ka marrë fragmente të tëra nga dy doktoratura italiane, por kryesisht nga njëra prej tyre që është një doktoranti në Napoli dhe është gjithashtu një material i përkthyer fjalë për fjalë”, ka bërë të ditur studiuesi, Taulant Muka.








