
Pas ndryshimeve të drejtorëve të policisë në qarqe, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka nisur edhe lëvizjet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të rienergjizuar organizatën.
Së fundmi Hita ka hapur garën edhe për tre departamente të rëndësishme në Drejtorinë e Përgjithshme, konkretisht atë të Policisë Kriminale, të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Kufirit dhe Migracionit.
Pas hapjes së garës, çdo oficer policie që mban gradën drejtues ka të drejtë të aplikojë.
Hita pritet të bëjë ndryshim në departamentin e Policisë Kriminale, që cilësohet si numri dy në policinë e Shtetit dhe që drejtohet që prej 1 gushtit 2022 nga Neritan Nallbati, të cilit i ka përfunduar mandati.
Emri më potencial për të marrë drejtimin e këtij departamenti është Ervin Hodaj, drejtori aktual i komanduar i Policisë së Durrësit.
Po ashtu Hita ka hapur garën edhe për departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, që prej vitit 2020 drejtohet nga Pëllumb Seferi, i cili ka arritur rezultate të larta duke kryer ekstradime të shumta dhe duke thyer edhe mitin e ekstradimeve nga Dubai, mbi 17 të tilla, më shumë se çdo vend në Europë.
Për departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare pritet të kandidojë Idajet Faskaj. Edhe për departamentin e Kufirit dhe Migracionit pritet të kemi ndryshime, i cili prej një viti drejtohet nga Saimir Muça, i emëruar kur kryepolic ishte Ilir Proda.
Pas mbylljes së garës në këto tre departamente, Hita pritet të bëjë edhe ndryshime edhe në qarqet ku ende nuk ka ndryshuar drejtuesit, atë të Beratit, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës dhe Durrësit, pasi drejtori i komanduar në këtë qark Ervin Hodaj pritet të jetë kandidat potencial për të marrë drejtimin e Policisë kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme./Versus.al

