
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pranuar se i kërkoi FIFA-s të rishikonte vendimin për pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq gjatë Kupës së Botës.
Sipas Trump, ai zhvilloi një bisedë me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar vetëm një rishikim të rastit, pasi nuk besonte se ndërhyrja e Balogun përbënte faull që justifikonte një pezullim.
"Mendova se ishin dy atletë të shkëlqyer që u përplasën me njëri-tjetrin dhe u ngatërruan. Nuk mund t'u them atyre çfarë të bëjnë, por mendova se vendimi duhej rishikuar", u shpreh Trump gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë.
Sulmuesi 25-vjeçar, golashënuesi më i mirë i Shteteve të Bashkuara në turne, rrezikonte të humbiste ndeshjen e fazës së 1/8-ave ndaj Belgjikës në Seattle për shkak të pezullimit automatik me një ndeshje.
Megjithatë, të hënën në mëmgjes, FIFA vendosi të pezullojë zbatimin e dënimit për një periudhë 12-mujore, duke i hapur rrugën Balogun të jetë i gatshëm për përballjen me Belgjikën.
Trump e përshëndeti këtë vendim, duke deklaruar se zbatimi i pezullimit do të kishte lënë një "njollë të madhe" në turne. Ai theksoi se beson se vendimi u mor nga komisioni përkatës i FIFA-s dhe jo drejtpërdrejt nga drejtuesit e organizatës.
"Besoj se komisioni mori vendimin e duhur", përfundoi presidenti amerikan./Versus.al

