Një sherr mes një çifti ka ngritur në këmbë policinë e Tiranës. Në fakt jo sherri në vetvete, por njoftimi se një vajzë është rrëmbyer me forcë nga një makinë. Telefonata ka mbërritur në sallën operative të Policisë së Shtetit, ku është lajmëruar se një vajzë është marrë forcërisht dhe është futur në makinë. Ngjarja e ndodhur në zonën e quajtur “Rruga e Qelqit” në Kombinat, nuk ishte vështirëpër tu zbardhur pasi telefonuesi mësohet se ka dhënë detaje sa i takon makinës në të cilët besohet se është marrë me forcë vajza. Menjëherë pas kësaj ka nisur puna për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje dhe policia e Tiranës saktësoi mbrëmjen e së premtes se nuk bëhej fjalë për një pengmarrje, por për një grindje në çift.
NJOFTIM DVP Tiranë
Në lidhje me një shkrim të publikuar në një portal, i cili flet për rrëmbimin e një shtetaseje, ju sqarojmë:
Me marrjen e informacionit mbi këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë angazhuar maksimalisht për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, dhe shoqërimin e personave të përfshirë.
Bazuar në inteligjencën informative është bërë identifikimi i targës së automjetit tip "Benz", dhe shoqërimi në ambientet e Policisë i drejtuesit të tij, shtetasit K. M., dhe shtetases A. C., të cilët kanë deklaruar se në Rrugën e Qelqit, kanë patur një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, për motive xhelozie.
/ Versus.al







