Gazetari Artan Hoxha i ftuar në A2CNN foli për arrestimin e personazhit të njohur të botës së krimit, Safet Bajri. Hoxha komentoi daljen e Bajrit në Top Channel ku foli për disa ngjarje dhe tha se ishte pikërisht ajo dalje që e përshpejtoi arrestimin e tij.
“Ai doli për të dhënë disa mesazhe dhe mesazhet sigurisht kanë shkuar atje ku ai kishte qëllim t’i çonte. Sepse foli për disa ngjarje. Dalja e tij dhe koha që konsumoi aty në televizionin më të madh në vend. Mendoj se kjo dalje u lexua si “karshillëk i hapur”. Mendoj se kjo gjë e ka përshpejtuar. Ai ka shkuar vetë në policinë e Shkodrës dhe më pas e kanë sjellë në Tiranë”- tha Hoxha.
Më tej foli edhe për mënyrën e shoqërimit të Bajrit në bllokun e sigurisë duke theksuar se çdo gjë ishte e përgatitur dhe se kameramanët ishin njoftuar për vendin ku do të ndalohej në mënyrë që të kapej nga kamerat.
“E vure re që kamerat ishin në pritje? Kush i lajmëroi kamerat për orën kur do vinte ai? Dera ku u fut Safet Bajri është derë ku futen funksionarët e policisë. Kjo u bë që ta kishin mediat pamjen e tij me RENEA-n që e shoqëronte. Ai si duket e kuptoi këtë gjë. Një njeri që sfidoi autoritetin e shtetit, iu rezervua ky arrestim. Safet Bajri kishte muaj që përflitej se do arrestohej, por kjo dalje e tij e përshpejtoi”- shtoi gazetari. Versus.al








