Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin e Ermir Ndreajt, i njohur edhe me nofkën “Cinco”, një emër i përfolur prej kohësh në rrjetet kriminale ndërkombëtare. Sipas medias belge HLN, Ndreaj ka një histori të gjatë kriminale në Belgjikë, ku ka vuajtur rreth 13 vite burg për vepra të ndryshme penale, kryesisht të lidhura me trafikun e drogës.
Pavarësisht dënimeve të mëparshme, ai arriti të rikthehej në aktivitetin kriminal, duke u bërë një nga figurat qendrore të një rrjeti që transportonte sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt porteve kryesore europiane, mes tyre edhe porti strategjik i Antwerp-it në Belgjikë.
Fasadë për pastrim parash dhe investime në Shqipëri
Hetimet e fundit, të kryera në bashkëpunim mes autoriteteve belge dhe shqiptare, zbuluan se Ndreaj dhe bashkëshortja e tij kishin hapur një sallon bukurie në Antwerp, i cili dyshohet se përdorej si mbulesë për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës.
Paralelisht, çifti kishte investuar edhe në Shqipëri, ku zotëronin biznese të profilit të lartë, përfshirë një klub nate luksoz në bregdetin shqiptar, i njohur për frekuentimin nga figura publike dhe VIP-a vendas e të huaj.
Operacioni anti-mafia në Tiranë dhe sekuestro e pasurive
Ndreaj ishte një nga katër të arrestuarit gjatë një operacioni të gjerë anti-mafia të zhvilluar së fundmi në Tiranë. Ai akuzohet si pjesë e një grupi kriminal që kishte tentuar të fuste në tregjet europiane 1.2 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur në dhjetëra miliona euro.
Edhe pse kishte qenë më parë i dënuar për trafik droge, në një nga çështjet ndaj tij, akuzat u rrëzuan, duke i lejuar atij të vijonte aktivitetin e paligjshëm pa pengesa.
Aktualisht, me urdhër të SPAK, janë vënë nën sekuestro të gjitha asetet e tij në Shqipëri dhe Belgjikë – përfshirë kompani në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve estetike, që dyshohen se janë përdorur për të fshehur dhe legalizuar të ardhurat e paligjshme. /Versus.al







