AKTUALITET /

Sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ilegale në Mitrovicë të Veriut

Një javë më parë Policia ka gjetur në Mitrovicë të Veriut edhe uniforma ushtarake, antiplumb, karikatorë të armës së gjatë “AK-47” me municion, si dhe mjete të tjera ushtarake. Ato dyshohet se i përkasin autorit të shpërthimit që vrau dy vjet më parë rreshterin Afrim Bunjaku.

Shkruar nga Versus

Sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ilegale në Mitrovicë

Armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale ka gjetur policia të shtunën, gjatë operacionit në një podrum afër sheshit “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut, komunë e cila banohet kryesisht me serbë.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit janë konfiskuar: pushkë automatike, pushkë gjahu, 50 fishekë, kondak pushke, një palë pranga, mbajtës pushke, maskë kundër helmeve me çantën e saj, këllëf arme dhe 5 karikatorë të zbrazët.

Për rastin është informuar prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për “Mbajtje nën pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe se hetimet vazhdojnë.

Pas këtij aksioni ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk ka më strehë për kriminelët apo elementet e tjera që cenojnë sigurinë e shtetit.

“Asnjë pjesë e territorit të Republikës sonë nuk është më strehë as për kriminelë e as për armatim apo elemente të tjera që cenojnë sigurinë e vendit tonë. Në qendër të Mitrovicës së Veriut, në bodrumin e një ndërtese kolektive sot janë gjetur dy armë, municion i llojeve të ndryshme, karikatorë, gazmaskë e pranga. Mbetemi të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe për Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

E, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo informacion për armë ilegale, substanca narkotike apo veprimtari të tjera të kundërligjshme ta raportojnë menjëherë përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

Një javë më parë Policia ka gjetur në Mitrovicë të Veriut edhe uniforma ushtarake, antiplumb, karikatorë të armës së gjatë “AK-47” me municion, si dhe mjete të tjera ushtarake. Ato dyshohet se i përkasin autorit të shpërthimit që vrau dy vjet më parë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia nuk ka dhënë detaje për këtë, por ka theksuar se dyshohet se i përkasin një peroni që është në kërkim për sulmin terrorist të organizuar në Banjskë të Zveçanit, të organizuar në 2023-tën.

Sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ilegale në Mitrovicë

Por, Sveçla ka thënë se uniformat e mjetet ushtarake ishin pronë e Nemanja Radivojeviqit, i njohur si “Gandi”. Radivojeviqi është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës, që ia mori jetën Bunjakut.

Gjatë sulmit në Banjskë janë vrarë tre pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist, ndërsa tre të tjerë janë kapur nga Policia. Por, dhjetëra pjesëmarrës janë larguar në Serbi, përfshirë Milan Radoiçiqin, i cili e ka marrë përsipër sulmin.

Vitin e shkuar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, për role të ndryshme që kanë pasur brenda grupit, duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste e deri te financimi dhe shpëlarja e parave.

Poll