Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Policisë së Tiranës, Elton Alushi, kanë vizituar sot në repartin e djegieve në QSUT komisarin Agim Troci, Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, i cili u plagos rëndë gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar në fshatin Vergo, që nuk mund të dilnin nga zona e përfshirë nga flakët.
Komisari Troci pësoi djegie të shumta teksa ndihmonte në evakuimin e banorëve, ndërsa drejtori Proda është interesuar për gjendjen e tij shëndetësore që në momentet e para. Ai ka ndjekur nga afër edhe organizimin e transportimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për incidentin.
Gjatë vizitës në QSUT, drejtori Proda ka komunikuar me stafin mjekësor dhe ka uruar shërim të shpejtë për komisarin Troci, duke e përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e të gjithë efektivëve të Komisariatit të Delvinës, të cilët sot rrezikuan jetën për të shpëtuar shumë banorë, kryesisht të moshuar, në disa fshatra të Delvinës, që u përfshinë nga një zjarr i fuqishëm, i përkeqësuar nga era. /Versus.al







