Një konflikt mes disa shtetasve ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në ambientet e zyrave elektorale të PSD-së Tom Doshit në rrugën “Ali Demi” në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja u raportua përmes një telefonate në sallën operative të DVP Tiranë, ku u bë me dije për një përplasje fizike mes disa personave.
Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë konstatuan dëmtime në xhamat e zyrës, që dyshohet të jenë shkaktuar me sende të forta. Po ashtu, gjatë këqyrjes, janë sekuestruar dy fishekë luftarak, çka ka shtuar dyshimet për një përshkallëzim të mundshëm të dhunës.
Personat e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi me një automjet dhe aktualisht janë shpallur në kërkim. Forca të shumta policore dhe grupi hetimor ndodhen në terren dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për sqarimin e motivit të konfliktit.
Policia e Tiranës apelon për qetësi dhe bashkëpunim nga qytetarët, duke ftuar këdo që ka informacion për ngjarjen të kontaktojë menjëherë autoritetet.
NJOFTIMI
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.








