AKTUALITET /

Shoferi i personazhit të krimit, agjent i AMP pa certifikatë sigurie! Pezullohet zinxhiri komandues, hetime se si u punësua

Drejtori aktual i AMP, Eduart Merkaj ka urdhëruar pezullimin e të gjithë zinxhirit komandues të institucionit deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Shkruar nga Versus
Shoferi i personazhit të krimit, agjent i AMP pa certifikatë sigurie!
Muçi Shaljani, i plagosur në atentatin ku u vra Gilmando Dani

Atentati i djeshëm në Rinas ku u vra Gilmando Dani ngjalli reagime në publik edhe për faktin personi që e shoqëronte i cili mbeti i plagosur, ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Musfata Shaljani i njohur si “Muçi Shaljani” ishte punësuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në muajin shtator të këtij viti kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi.

Detajet bëjnë me dije se Muçi Shaljani nuk ka patur certifikatë sigurie, një element i domosdoshëm për t’u punësuar në institucione të tilla policore. Ndërsa në reagimin për mediat, AMP bën me dije se drejtori aktual Eduart Merkaj ka pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të këtij institucioni deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

"Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes"- thuhet në reagimin e AMP.

Mësohet se institucioni që verifikon pastërtinë e figurës për punonjësit e AMP, ka nisur hetimet për të zbuluar sesi një person i afërt me njerëz të krimit, u punësua në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, institucion në varësi të ministrisë së Brendshme që ka për detyrë të monitorojë punën e policisë dhe zbatimin korrekt të ligjit. Versus.al

Poll