Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-efektivit të policisë Jeton Lami, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të dënimit me 2 vite e 10 muaj burgim.
Lami ishte dënuar nga Gjykata e Lezhës, pasi ishte kapur në shoqërinë e Ervis Martinajt, pak kohë përpara se ky i fundit të shpallej i zhdukur në gusht të vitit 2022. Vendimi u konfirmua më pas edhe nga Apeli me Juridiksion të Përgjithshëm, por ish-efektivi vendosi ta ankimojë në Gjykatën e Lartë, e cila e ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm pa ndryshime.
Ervis Martinaj, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kohën kur humbi kontaktet me familjen. Ai u përmend në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për të ekzekutuar rivalin e tij Endrit Dokle. /Versus.al/







