Pa kaluar ende një javë nga ngjarja e rëndë ku djali i tyre u vra me thikë nga bashkëmoshatari pranë shkollës “Fan Noli”, prindërit e 14 vjeçarit dolën në një intervistë televizive ku folën për tronditjen e pësuar.
Në përgjigjet e dhëna prej tyre ishte edhe fakti se prindërit e autorit ende nuk i kishin kontaktuar për t’u kërkuar falje për ngjarjen tronditëse. Por a ishte një deklaratë e kryekomisarit Asllan Shytaj ajo që nxiti një dalje publike të prindërve të të miturit që u vra me thikë?
Kujtojmë se në emisionin “Top Story” kryekomisari dha një deklaratë e cila është komentuar në rrjet edhe si nxitje hakmarrje mes dy familjeve. Shytaj duke theksuar se të dyja familjet janë nga veriu i Shqipërisë, bëri një paragjykim duke thënë se në këto zona ekziston ende kodi i gjakmarrjes.
Babai i të miturit të ndjerë, theksoi në media se nuk kishte asnjë ndjesi hakmarrje ndaj familjes të të miturit që kreu vrasjen e rëndë. Sa i takon kërkim faljes, ai tha se nuk ka patur asnjë kontakt me familjarët e autorit për shkak se këta të fundit mund të ndihen fajtorë për krimin e kryer nga fëmija i tyre.
Deklarata të tilla të një zyrtari të lartë policie, duhet të jenë më të matura pasi në rastin më të keq mund të shkaktojnë nxitjen e një gjakmarrje mes familjeve edhe nëse këto të fundit nuk e kanë ndërmend diçka të tillë. Nga ana tjetër edhe babai i autorit të ngjarjes, ka reaguar për mediat duke thënë se e ndjen dhimbjen si të kishte vdekur djali i tij dhe bëri me dije se do të fliste me familjarët e të miturit që u vra. Versus.al








