Prej më shumë se një muaji, vendi ynë është përballur me zjarre të shumta që kanë përfshirë pyje dhe kullota në disa zona. Megjithatë, dy ditët e fundit situata është vënë nën kontroll, ndërsa një pjesë e madhe e vatrave është shuar falë ndërhyrjeve në terren dhe reshjeve të fundit.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri më tani janë djegur rreth 26 mijë hektarë me pyje dhe shkurre, një nga sipërfaqet më të mëdha të shkrumbuara në dekadën e fundit.
Krahasuar me vitin 2023, dëmet këtë vit janë pesëfish më të mëdha, pasi pjesa më e madhe e zjarreve kanë shpërthyer në gjysmën e dytë të muajit korrik, duke ndikuar rëndë në mjedis dhe ekonomi.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), i cili ka gjurmuar 58 vatra aktive, dëmi ekonomik i shkaktuar nga zjarret kap vlerën mbi 160 milionë euro. Kjo përfshin koston e ripyllëzimit, rigjenerimit të tokës dhe humbjet nga djegia e lëndës drusore.
Edhe pse reshjet kanë ndihmuar në shuarjen e zjarreve, autoritetet paralajmërojnë se muaji gusht mbetet me rrezik të lartë, për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës së mundshme.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, zonat më të goditura nga shpyllëzimi për shkak të zjarreve janë: Vlora, Shkodra, Dibra, Bulqiza, Librazhdi dhe Korça – rajone që tradicionalisht kanë një pasuri pyjore të madhe dhe ndjeshmëri të lartë ndaj ndryshimeve klimatike. /Versus.al







