AKTUALITET /

"Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të mos diskriminohen", fjala e Begajt në OKB: Kosova duhet të ketë vendin e saj këtu

Begaj tha se Kosova ka treguar se është anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar dhe se ajo duhet të ketë vend në OKB.

Shkruar nga Versus

"Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të mos

Ndryshe nga herët e kaluara ku ka qenë vetë kryeministri Edi Rama ai që ka përfaqësuar Shqipërinë në OKB duke folur në asamblenë e përgjithshme, këtë herë këtë detyrë e kryen presidenti Bajram Begaj.

Gjatë fjalës së tij në debatin e përgjithshëm të sesionit të 80-të që përkon edhe me 70 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në OKB, Begaj foli për angazhimin e vendit në respektimin e vlerave dhe kartës së organizatës.

“Ne duhet të zgjedhim bashkëpunimin mbi kundërshtitë, dialogun mbi ndarjen dhe solidaritetin mbi indiferencën,” u shpreh presidenti Begaj, duke theksuar rolin e OKB-së si platformën globale për të adresuar përgjigjet ndaj sfidave të përbashkëta.

Por më tej foli për Kosovën, duke thënë se edhe ajo meriton të ketë vendin e saj në Kombet e Bashkuara.

“17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka treguar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe vlerave demokratike. Me institucione të forta dhe popullsi vitale, kontributi i saj në bashkëpunimin rajonal dhe me gjere është i pamohueshëm. Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë se Kosovës, mbështetja për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës, është një hap që forcon edhe më shumë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribut në stabilitetin e Europës”, tha Begaj.

Duke mbetur në këtë pikë, Begaj foli për nevojën e respektimit të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

“Shqipëria kërkon që të drejtat e liritë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të respektohen, që shqiptaret atje te mos diskriminohen, por të integrohen, që gjuha shqipe të përdoret, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat e tyre të mbrohen dhe promovohen”. Versus.al

Poll