Pandeli Nakoleci, 40-vjeçari shqiptar që vrau bashkëshorten e tij, Mariola Nakoleci, para katër fëmijëve të tyre, vijon të jetë në arrati. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në qytetin e Volosit, Greqi, dhe ka tronditur opinionin publik vendas e shqiptar.
Sipas autoriteteve greke, autori është shpallur në kërkim intensiv, por ende nuk është arritur lokalizimi i tij. Mediat greke raportojnë se ekziston mundësia që Nakoleci t’i ketë dhënë fund jetës pas krimit makabër, duke marrë parasysh edhe të kaluarën e tij me probleme të theksuara psikike. Në qershor 2025, ai kishte tentuar vetëvrasjen dhe ishte shtruar në një institucion psikiatrik.
Detajet e vrasjes
Ngjarja ndodhi në hyrje të pallatit ku çifti jetonte prej një viti, në rrugën Konstanta të Volosit. Pas një debati të ashpër në apartament, konflikti vijoi edhe jashtë derës. Sipas hetimeve, Pandeli Nakoleci e goditi gruan disa herë me thikë, ndërsa fëmijët ndodheshin në banesë.
Mariola tentoi të ikte dhe zbriti me vrap shkallët e pallatit, por ai e ndoqi dhe e goditi fatalisht pranë një dere xhami në katin e poshtëm. Policia greke ka deklaruar se tre nga fëmijët u gjetën pranë trupit të nënës së tyre, ndërsa një nga vajzat është cituar të ketë thënë: "E pashë babin duke e therur mamin me thikë."
E kaluara e autorit dhe reagimet
Nakoleci rezulton të ketë qenë i njohur më herët për autoritetet greke, me akuza për përfshirje në organizata kriminale dhe çështje droge. Pavarësisht raportimeve për zënka të shpeshta dhe dhunë në familje, nuk ka pasur asnjë denoncim zyrtar ndaj tij.
Fëmijët e mitur janë aktualisht nën kujdesin e të afërmve, ndërsa autoritetet greke vazhdojnë kërkimet për gjetjen e autorit, që akuzohet për një nga krimet më tronditëse të viteve të fundit në Greqi. /Versus.al/






