
Gjykata e Posaçme caktoi datën 2 shkurt për seancën paraprake në ngarkim të Erion Veliajt dhe 25 të pandehurve të tjerë duke shtyrë kështu procesin gjyqësor për të 11-ën herë.
Avokatja e caktuar kryesisht për Erion Veliajn, Valentina Teodoresku ka marrë leje nga gjykata për t'u takuar me Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit dhe për t'u konsultuar lidhur me mbrojtjen e tij. Ky i fundit ishte i pranishëm në seancë ndryshe nga hera e kaluar kur nuk u paraqit me pretendimin se furgoni i drejtorisë së burgjeve kishte mbërritur vonë.
Në seancën 2 shkurtit pritet të vendoset nëse çështja ndaj Veliajt do të kalojë për gjykim apo jo. Më herët Gjykata e Posaçme i rrëzoi kërkesat e Erion Veliajt për t’i dhënë akses të njihet me dosjen në burg, si dhe që gjatë seancave gjyqësore të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë.
Ndaj Veliajt rëndojnë 13 akuza për 5 vepra penale që lidhen me fshehje pasurie, pastrim parash, korrupsion pasiv, shpërdorim detyre e futje e sendeve të jashtëligjshme në qeli. Versus.al

