AKTUALITET /

Si u mohua vatra e fruthit në Tiranë/ Kopshti u karantinua 21 ditë, MSH dhe ISHP fshehën procesverbalin

Një kopsht privat në Tiranë është vendosur në karantinë 21-ditore pas identifikimit të disa fëmijëve të pavaksinuar me fruth. Autoritetet shëndetësore ndërhynë menjëherë për hetimin dhe izolimin e rasteve, ndërsa theksohet nevoja për transparencë dhe informim të prindërve për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Shkruar nga Versus
Si u mohua vatra e fruthit në Tiranë/ Kopshti u karantinua 21
Foto ilustruese

Një kopsht jo publik në një kompleks në rrugën e Kavajës është vendosur në karantinë për 21 ditë, pasi më 12 janar 2026 u identifikuan 5–6 fëmijë të pavaksinuar të infektuar me fruth. Në respekt të konfidencialitetit të biznesit privat, emri i institucionit nuk bëhet publik.

Sipas informacioneve, administrata e kopshtit ka ndjekur procedurat e parashikuara nga rregullat e shëndetit publik, duke njoftuar menjëherë Drejtorinë e Shëndetit Publik të Tiranës sapo u konstatuan dy rastet e para.

Pas njoftimit, epidemiologët mbërritën në ambientet e institucionit për hetimin epidemiologjik dhe izolimin e rasteve, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të përhapjes së sëmundjes tek fëmijët e tjerë.

Vendimi për karantinimin 21-ditor është marrë në përputhje me procedurat zyrtare dhe është dokumentuar me procesverbal, të cilin e disponojnë si administratorët e kopshtit, ashtu edhe autoritetet shëndetësore.

Burime pranë çështjes theksojnë se institucionet përgjegjëse shëndetësore duhet të ofrojnë transparencë dhe informim publik në raste të tilla, pasi ndërgjegjësimi i prindërve konsiderohet kyç për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive dhe rritjen e vaksinimit tek fëmijët.

Poll