
Tiranë- Krimi ekonomik në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” ka realizuar operacionin “siguria dentare” në kuadër të të cilit kanë rënë në pranga Ervin Zeka, 40 vjeç pronari i një klinike në rrugën e Kavajës dhe dentisti Klejdi Myzyri, 26 vjeç.
Ndërsa janë vënë nën hetim 12 punonjës të kësaj klinike që ofronte shërbime të ndryshme si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare.
Shkak është bërë fakti se gjatë kontrolleve të kryera në klinikën “Golden Dental Aesthetics”, policia gjeti dhe sekuestroi një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara që prej vitit 2023.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Versus.al







