SPAK ka vijuar hetimet ndaj një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në organizimin dhe funksionimin e një sistemi informal për transferimin e parave. Në hetim janë tre persona: Ervis Ferizaj, Burim Ferizaj dhe Përparim Kallbaj.
Gjatë hetimeve janë kontrolluar pasuritë e tyre për të verifikuar nëse janë përfituar në mënyrë të ligjshme apo nëpërmjet veprimtarive kriminale. Me vendim të Gjykatës së Posaçme janë sekuestruar pasuri të ndryshme që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Pasuritë e sekuestruara në emër të Ervis Ferizajt përfshijnë:
Kompaninë “Ferizaj-78” dhe të gjitha asetet e saj,
Një njësi tregtare në Tiranë me vlerë 200,000 euro,
Një vilë dykatëshe në Lalëz, Durrës, me vlerë 80,000 euro,
77,160 franga zvicerane në para të gatshme.
Ndërsa në emër të Përparim Kallbaj janë sekuestruar kompania “Kalbaj” dhe të gjitha asetet e saj. Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e kompanisë dhe banesat e përfshira në hetim, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 68 milionë lekë, që dyshohen të jenë përfituar nga veprimtari kriminale.
Si funksiononte sistemi i transferimit të parave?
Përmes metodës së quajtur “Hawala”, personat nën hetim dhe bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër transferonin në mënyrë të shpejtë shuma parash nga Zvicra drejt Shqipërisë, që nga viti 2020 e në vazhdim. Dërguesit e parave dorëzonin shumën tek bashkëpunëtorët në Zvicër, duke i informuar për emrin e pritësit në Tiranë.
Menjëherë pas depozitimit, bashkëpunëtorët në Zvicër njoftonin Ervis Ferizajn, drejtuesin e grupit në Shqipëri, i cili bashkë me Burim Ferizajn dhe Përparim Kallbajn, dorëzonin shumën e njëjtë tek pritësit në Tiranë.
Për të kryer këtë veprimtari kriminale, grupi ka përdorur zyra këmbimi valutor, transferimesh parash dhe agjenci turistike. Përfitimi nga kjo skemë ishte 6% e shumës së transferuar, e ndarë në mënyrë të barabartë mes Ervis Ferizajt dhe bashkëpunëtorëve të tij në Zvicër.
Masat e sigurisë:
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ervis Ferizajn, Burim Ferizajn dhe Përparim Kallbajn. Policia ka ekzekutuar arrestimin për Burim Ferizajn dhe Përparim Kallbajn, ndërsa Ervis Ferizaj ndodhet aktualisht i arrestuar në Zvicër.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) ka vijuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve E.F, B.F dhe P.K.
Gjatë hetimeve paraprake janë kryer veprime të mëtejshme hetimore me qëllim verifikimin e pasurive në zotërim të personave nën hetim, verifikimin e burimit të ligjshëm të tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që mundet të përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.442 datë 14.07.2024 ka vendosur:
Caktimin masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në zotërim direkt dhe indirekt të shtetasit E.F, të mëposhtme:
1.1. Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, me Nipt M11512017P, me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, si dhe gjitha asetet e kësaj shoqërie tregtare.
1.2. Pasuria e paluajtshme, nr.3/8-N6, zona kadastrale 8210, volumi 38, faqe 37, e llojit “Njësi”, me sipërfaqe totale 161.67 m2, në emër të shtetasit E.F.
Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 30.01.2017, me çmimin e vendosur në kontratë prej 200,000 Eurosh.
1.3. Pasuria e paluajtshme “Vilë 2 Kate”, nr.169/77, zona kadastrale nr.2375, volumi 16, faqe 119, me sipërfaqe 162.85 m2 truall dhe sipërfaqe totale ndërtimi 140 m2, ndodhur ne Lalëz, Durrës, në emër të E.F.
Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 19.12.2019 me çmimin e vendosur në kontratë prej 80,000 Eurosh.
1.4. Shuma monetare prej 77,160 frangash zvicerane.
2. Caktimin e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e luajtshme në zotërim indirekt të shtetasit P.K, të mëposhtme:
2.1. Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, me Nipt L91307007H, si dhe gjitha pasuritë e paluajtshme dhe te luajtshme të kësaj shoqërie tregtare.
Gjithashtu, gjatë hetimeve parapraprake për këtë procedim penal nga kontrollet e kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000 lekësh të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale./Versus.al







