Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur pasditen e sotme në Korçë, ku tre fëmijë janë dërguar me urgjencë në spital, pasi dyshohet se kanë konsumuar karamele të gjetura në rrugë.
Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 18:15, tre të mitur, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç, janë paraqitur në shërbimin pediatrik të Spitalit të Korçës, të shoqëruar nga familjarët e tyre për të marrë ndihmë mjekësore.
Paraprakisht, familjarët kanë deklaruar se fëmijët mund të kenë konsumuar disa karamele të gjetura pranë një koshi mbeturinash, çka ngre dyshime për helmim ose intoksikim.
Policia e Korçës ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar origjinën dhe përmbajtjen e karameleve në fjalë.
Grupi hetimor po bashkëpunon me autoritetet mjekësore për të analizuar gjendjen shëndetësore të fëmijëve dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për ndonjë substancë të dëmshme.






