Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur Brukselin. Të dielën e kaluar, në rrugën e unazës (Ring), në kufirin mes Dilbeek dhe Anderlecht, u gjet një trup i pajetë i varur pas një tabele sinjalistike. Policia dhe Prokuroria e Brukselit shkuan menjëherë në vendngjarje, duke konfirmuar se viktima ishte një 29-vjeçar me origjinë shqiptare.
Prokuroria po e heton ngjarjen si “vdekje të dyshimtë” dhe ka angazhuar një gjyqtar hetues, mjek ligjor dhe laboratorin e Policisë Federale. Viktima ishte varur me një kabllo pas pjesës së pasme të tabelës, ndërsa ende është herët për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo vrasje mafioze.
Trupi u gjet pranë qendrës tregtare Westland Shopping, shumë afër lagjes Peterbos, një zonë e njohur për trafikun e drogës. Edhe pse nuk ka ende prova për lidhje direkte, ekspertët paralajmërojnë se mënyra e ekzekutimit i ngjan metodave të kartelëve meksikanë, të famshëm për aktet brutale të dhunës kundër rivalëve.
Në vitet e fundit, Brukseli është përballur me një valë të pashembullt dhune të lidhur me mafien e drogës. Vetëm këtë vit, sipas policisë, janë regjistruar mbi 57 të shtëna me armë.
Në intervista të mëparshme, drejtori i Policisë Federale, Eric Jacobs, ka paralajmëruar për praninë e bandave të fuqishme – nga mafia e Marsejës dhe “Mocro-Mafia” holandeze, deri te rrjetet shqiptare dhe grupet nga Afrika e Veriut.
Vetëm muajt e fundit, policia belge ka zbuluar raste makabre të torturave të lidhura me tregtinë e kokainës dhe kanabisit.
Në një prej tyre, një trafikant i mitur u gjet i djegur me hekur në pjesë intime dhe i dhunuar brutalisht për një sasi droge të humbur.
Në një tjetër rast, video nga telefonat e bandës së Clemenceau treguan një emigrant pa dokumente, i mbështjellë me qese plastike, që rrihej barbarisht me armë.
Hetuesit belgë nuk përjashtojnë që shqiptari 29-vjeçar të jetë viktimë e një “mesazhi” mafioz për rivalët, ashtu si ndodh shpesh në luftrat e kartelëve të drogës.
Ngjarja ka hapur një debat të gjerë në Belgjikë për shkallën alarmante të dhunës dhe për rrezikun që kryeqyteti europian të kthehet në një skenë të mafies ndërkombëtare./ Marrë nga Sudinfo.be-Versus.al







