Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj do të hetohet tashmë nga SPAK për 4 vepra penale në total. Së fundmi akuzave të korrupsionit pasiv në 9 episode, pastrimit të parave e mosdeklarimit të pasurisë, i është shtuar edhe fshehja e të ardhurave.
Prej shkurtit, Xoxa ndodhet në masën “detyrim paraqitje” ndërsa më herët gjykata kishte caktuar “arrest shtëpie” ndaj saj nën dyshimin se është përfshirë në skemën e ngritur së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj për përvetësimin e fondeve publike nëpërmjet pagesave për qendrën e saj jofitimprurëse “Harabeli”.
Akuza e re iu komunikua sot Xoxës e cila u paraqit në SPAK për të respektuar masën e “detyrimi paraqitjes”. Deri më tani, ajo nuk ka bërë dalje publike, por është mjaftuar me një postim të gjatë në rrjetet sociale ku duke u shfajësuar nga akuzat, pretendonte se ndaj saj dhe familjes së saj po bëhej një padrejtësi. Versus.al








